Video

19/03/2013 16:47:35

Marëveshja me BEnë, peng e marrëdhënieve me Beogradin

Komisioneri Füle para Prishtinës, zhvilloi dje një vizitë në Beograd ku takoi Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç e drejtues të tjerë të lartë serbë






PRISHTINË - "Është kënaqësi të jem këtu sot, në një moment kyç për të ardhmen europiane të Kosovës", tha sot në Prishtinë Komisioneri i BE për Zgjerim, Stefan Fule.

"Nëse keni vërejtur kontakte më të shpeshta mes Prishtinës dhe Brukselit, kjo tregon një shkallë të përkushtimit në të dy palët për të shtyrë para Kosovën në shtegun e saj europian”, tha ai pas takimit me zv/kryeministrin kosovar Hajredin Kuçi dhe ministren e Integrimit Europian, Vlora Çitaku (fotot).

Duke theksuar po ashtu takimin pasues me Presidenten Atifete Jahjaga, Fule tha se "porosia ime kryesore për ta dhe për tërë Kosovën është se unë i mbështes përpjekjet tuaja në dialogun me Serbinë dhe e çmoj përparimin e mirë që është bërë për të përmbushur prioritetet afatshkurtra nga studimi i fizibilitetit për një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit".

Ai theksoi se "ky përparim është rezultat i punës së zellshme të Kosovës" dhe se "është jetike që të ruhet ky ritëm dhe të vazhdohet ky përparim sepse në bazë të tij, Shtetet Anëtare, duhet të vendosin në qershor për hapat e radhës".

"Ditët dhe javët në vazhdim do të jenë jetike për marrëdhëniet BE-Kosovë. Një marrëveshje e mundshme me Beogradin nesër dhe jetësimi i saj në terren duhet të trasojnë rrugën për përfundime pozitive në takimin e Këshillit në qershor, rreth negociatave për një Marrëveshje Stabilizim Asociimi", theksoi Fule.

Ai shtoi se "kryeministri Thaçi ka punuar shumë për të ardhur deri te ky moment. Tash ai ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve në Kosovë, në interes të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj. Sepse, të qenit evropian nënkupton të qenit i gatshëm për kompromise dhe po ashtu edhe për konsensuse".

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, tha se "do t’i drejtohem me porosinë e njëjtë Këshillit nacional për integrime europiane si dhe takimit të përbashkët të Komisioneve të Kuvendit për Integrime Evropiane dhe Çështje të Jashtme”.

"Kosova duhet të tregojë edhe më shumë guxim tani. Kërkohen më shumë përpjekje në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në reformën elektorale dhe për zhvillim ekonomik”, theksoi ai.

Vazhdimi i reformave dhe përmirësimi i marrëdhënieve janë dy anët e së njëjtës medalje. Pa to, nuk mund të ketë Kosovë të lulëzuar dhe të begatë në paqe me veten dhe me fqinjët në rrugë për në Evropë. Jam i sigurt se ju mund t’ia dilni dhe për këtë ju keni mbështetjen tonë të vazhdueshme”, theksoi Komisioneri për Zgjerim, Fule.

Vizita e Füle në kryeqytetet e Kosovës dhe Serbisë pason vizitën e javës së kaluar të shefes së diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton, udhëheqëses së procesit të dialogut për normalizimin të marrëdhënieve mes dy vendeve, para takimit të raundit të shtatë në nivel kryeministrash, të mërkurën e 20 marsit në Bruksel.




HermesNews - ©2013