Kulturë
31/10/2014 11:42:02
Ndërron jetë Fadil Kujovska
Krijuesi i madh i karaktereve skenike realizoi disa dhjetra role në skenë dhe në kinematografi
TIRANË - Pas një sëmundje të gjatë, është ndarë nga jeta në moshën 63 vjeçare aktori i Teatrit Kombëtar, Fadil Kujovska. i cilësuar si “krijuesi i madh i karaktereve skenike”. Fadili realizoi disa dhjetra role në skenë dhe në kinematografi. Ai kreu studimet e larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve dhe më 1974 filloi punë në Televizionin Shqiptar, më pas më 1975 interpretoi në Teatrin e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 1978 ishte aktor në Teatrin Kombëtar. Spikati si aktor i planit komik e satirik. Kujovska u dallua veçanërisht për karakterizimin e figurave që vinin nga shtresat e ulëta shoqërore apo rangjet administrative. Më 1978 krijoi shëmbëllimin e figurës së njohur të Shvejkut në komedinë e Gjikë Kurtiqit “Miq të paftuar”, nxitur nga romani i mirënjohur i Hashekut “Ushtari i mirë Shvejk”. Plastika, gjestet dhe mimika, të përpunuara me shije, krijuan gjasa që ky rol të vetëshprehej si duhej në epërsitë e mundshme të të dhënave natyrore të aktorit. Fadil Kujovska luajti role me trill e fantazi; ishte intuitiv, spontan dhe kishte nur komik. Ka interpretuar në filma artistikë dhe në disa filma televizivë. Në kujtesën e spektatorëve do të mbeten shumë personazhe tipke të realizuara prej tij. Një nga miqtë më të afërt të Artistit të Popullit, Kadri Roshi, do t’i mungoje tashmë familjes dhe skenës shqiptare. Lamtumir Cuk !