Ekonomi
22/09/2014 15:22:35
Sytë nga dritat e autostradave
Me futjen në përdorim të një teknologjie të re edhe për Europën, synohet t’i jepet zgjidhje përfundimtare disa problematikave
TIRANË - Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në testimin e vendosjes për herë të parë në vendin tonë të një teknologjie të re për ndriçimin, gjatë inspektimit të rikonstruksionit të rrugës Prush-Gropaj të komunës Vaqarr në Tiranë, investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Pasi u njoh nga afër me avantazhet e sistemit të ri, Kryeministri Rama, duke vlerësuar projektin theksoi se “me futjen në përdorim të një teknologjie të re edhe për Europën, synohet t’i jepet zgjidhje përfundimtare disa problematikave dhe njëherësh, e shndërron Shqipërinë në një model në këtë drejtim”. “E para, kjo është energji e gjelbër e plotë që futet. E dyta, do na zgjidhë problemin e tmerrshëm të vandalizmit dhe të vjedhjes së vazhdueshme të kabllove nëpër rrugë. E treta, kjo na zgjidh problemin e shpenzimeve të pushtetit vendor, që praktikisht i ka të detyrueshme dhe që, nga ana tjetër, është një akumulim i madh borxhesh në raport me kompaninë e shpërndarjes, sepse nuk paguajnë. Nuk paguajnë për pamundësi kryesisht. Sidomos komunat e kanë të pamundur që të paguajnë shpenzimet”, nënvizoi Rama. “U bë qesharake. Gjithandej errësirë nëpër autostrada, gjithë ato investime”, tha kryeministri. Kryeministri Rama theksoi gjtihashtu se prodhimi vendas përbën përparësi, për shkak të kostos më të ulët dhe mundësisë së mirëmbajtjes së tij.