Aktualitet
16/09/2014 18:12:06
Alarmi për vizitën e papes
Ambasadori iraken jep alarmin për sigurinë e papës në Shqipëri. Vatikani qetëson situatën
TIRANE - Papa Françesku rrezikon që të jetë në shënjestër të ekstremistëve të Shtetit Islamik gjatë vizitës që do të kryejë këtë fundjavë në Shqipëri. Alarmin e ka dhënë Ambasadori i Irakut në Vatikan, Habib Ald Sadër. Gjithashtu Ambasadori irakian ka paralajmëruar se Ati i Shenjtë do të jetë gjithashtu në rrezik në vizitën që do të kryejë në Turqi në nëntor. "Jihadistët e kanë bërë të qartë se duan ta vrasin Papën. Dhe kërcënimi ndaj tij është konkret", tha Ambasadori për gazetën italiane “La Nazione”. Vatikani nxitoi të qetësonte situatën, duke thënë se nuk kishte asnjë të dhënë se jeta e Papës kërcënohej dhe se nuk do të kishte asnjë ndryshim të masave të sigurisë gjatë udhëtimin e tij në Shqipëri, pavarësisht zërave se ish-luftëtarë në Siri që janë kthyer në Shqipëri mund të jenë kërcënim. Vetë Papa ka vendosur që të mos ketë asnjë pengesë mes tij dhe njerëzve të zakonshëm që do të takojë në Tiranë.