Ekonomi
11/07/2014 17:59:23
Taksimi i unifikuar. Prezantohet projektligji i ri
Ligji i ri synon të sigurojë qëndrueshmëri ligjore dhe fiskale, me rregulla të mirëpërcaktuara, të cilat sigurojnë njëtrajtshmëri në aplikimin e TVSH-së
TIRANE - Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave nisi të premten shqyrtimin e p/ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë. Opozita vendosi bojkotimin e Kuvendit ditën e djeshme pas një incidenti qe u shënua gjatë seancës plenare mes deputeteve. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se objektivi i përgjithshëm i hartimit të këtij ligji të ri është që të sigurojë përputhshmërinë e rregullave të aplikimit të TVSH-së në Shqipëri me ato të vendeve anëtare të BE-së, për të mos lejuar shtrembërimin e kushteve të konkurrencës dhe për të mos u bërë pengesë për qarkullimin e lirë të mallrave dhe të shërbimeve, duke eliminuar, sa është e mundur, faktorët që mund t’i shtrembërojnë këto kushte, jo vetëm në rrafshin kombëtar, por për t’i paraprirë edhe atij komunitar. "Ky projektligj, synon të sigurojë një sistem taksimi të unifikuar me shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, duke e bërë biznesin shqiptar konkurrues, midis vendeve të zhvilluara dhe Shqipërinë, një vend që siguron qëndrueshmëri ligjore, fiskale dhe siguri për investitorët e huaj", tha Cani. Në rekomandimet e Progres Raporteve të vitit 2010, 2011, 2012 dhe 2013, në seksionin e Tregut të Brendshëm, strukturat e Komisionit Europian kanë evidentuar detyrimin e Shqipërisë për përafrim të legjislacionit në fushën e taksave me acquis. Ky projektligj do të shfuqizojë ligjin ekzistues për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.