Botë
26/03/2014 09:25:35
Zgjohu (!) për presidentin në Maqedoni
Lëvizja qytetare fton shqiptarët të mos marrin pjesë në votime
SHKUP - Lëvizja qytetare "Zgjohu" deklaroi se pa votat e shqiptarëve asnjë president i Maqedonisë nuk mund të jetë legjitim. “Më 9 shkurt të këtij viti, ne ftuam të gjithë votuesit shqiptarë që të mos marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale. Edhe BDI-ja, PDSH-ja dhe RDK-ja ishin gjithashtu në një mendje për t’i bojkotuar zgjedhjet presidenciale. Ndryshe nga të tjerët, ne nuk i ndryshojmë qëndrimet tona dhe konsiderojmë që interesi i shqiptarëve është që të mos merret pjesë në zgjedhjet presidenciale”, thuhet në deklaratën e lëvizjes qytetare Zgjohu. ”Ky shtet mund të funksionojë vetëm në bazë të vullnetit të mirë dhe të pajtueshmërisë së shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo pajtueshmëri duhet të vlejë dhe për presidentin, edhe për qeverinë edhe për Parlamentin si dhe për çdo segment tjetër të shoqërisë tonë. Pa votat e shqiptarëve, asnjë president i Maqedonisë nuk mund të jetë përfaqësues legjitim i shtetit”, theksohet në deklaratë.