Aktualitet
26/12/2013 12:10:39
Lezha në krye të listës për vepra penale: Shkodra dhe Dibra në fund
Situata më e qetë se një muaj më parë: aksidentet dhe akset më problematike
TIRANË - Gjatë periudhës 17 Nëntor - 17 Dhjetor, numri i vrasjeve dhe zbulueshmëria ka qenë 90%, sipas të dhënave nge Ministria e Brendshme.
Gjatë kësaj periudhe ndodhën 6 vrasje dhe u zbuluan 5 prej tyre.
"Numri i vrasjeve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një ulje me 10 vrasje më pak gjatë këtij viti ose 62.5% më pak", sipas MB.
Ka rënë numri i veprave penale. Janë evidentuar 391 vepra penale më pak krahasuar me periudhën 17 Tetor - 17 Nëntor. Ulja më e madhe është vërejtur në krimet ekonomiko - financiare.
Lezha është në krye të qarqeve sa i përket treguesve të kriminalitetit për 100 mijë banorë me 98.5 krime për 100 mijë banorë. Më pas vjen Tirana me 93.2 krime, Durrësi me 64.9 krime. Pas tyre vjen Gjirokastra, Berati dhe Elbasani. Në fund të listës janë Dibra e Shkodra.
Sa u përket aksidenteve, në total kanë ndodhur 144 aksidente me 23 viktima, 18 të plagosur rëndë dhe 149 të plagosur lehtë. Në total janë vendosur 60 mijë gjoba dhe janë hequr 340 leje drejtimi.
Policia e Shtetit ka publikuar edhe një listë me akset problematike.
Akset Problematike/ Reps - Klos - Kukës - Morinë, ku problem mbetet mungesa e sinjalistikës, si dhe mosrespektim i kufijve të shpejtësisë. Harku Bërdicë– Velipojë, mungesë sinjalistike dhe infrastruktura rrugore e dëmtuar.
Bërdicë - Bushat, mungesa e sinjalistikës, si dhe mosrespektim i kufijve të shpejtësisë. Tiranë - Durrës, mosrespektim i kufijve të shpejtësisë dhe ndërprerje e rrugës nga këmbësorët. Ura e Dajlanit - Plepa dhe Ura e Tapizës - Fushë Krujë, mosrespektim i sinjalistikës nga këmbësorët dhe shpejtësi tej normave të lejuara. Tiranë- Krrabë, Krrabë- Elbasan, rrugë e pakualifikuar, mungesë sinjalistike, mosrespektim i standardeve të kërkuara.
Elbasan - Rrogozhinë, mungesa e sinjalistikës si dhe mosrespektim i kufijve të shpejtësisë. Kashar - Rinas, mosrespektim i kufijve të shpejtësisë dhe parakalime të gabuara. Në Tiranë (problematikë në trafik), Shkolla Teknologjike - Kombinat (infrastruktura rrugore e dëmtuar dhe mungesë sinjalistike), Rruga e Unazës së Re (ndërprerje e rrugës nga këmbësorët dhe mungesë sinjalistike), si dhe segmenti Bërryli - ATSH (mosrespektim i sinjalistikës nga drejtuesit e mjeteve). Na ndiqni dhe në Facebook dhe Twitter