stampa | chiudi

Analiza

23/11/2013 17:14:20

Lider nuk emërohesh, bëhesh

Nga Alfred Peza






TIRANE - Ndarja e parakohshme nga jeta e Sokol Olldashit veç të tjerash, nxori në sipërfaqe disa tendenca dhe defekte të shoqërisë shtetit shqiptar. Së pari, me gabimet foshnjarake natën e aksidentit fatal, mediat në përgjithësi dhe ato të informacionit televiziv në veçanti, treguan se janë ende të papërgatitura profesionalisht dhe teknikisht për raportime të këtij lloji. Së dyti, tragjedi të tilla nuk duhet të jenë e vetmja mundësi për të unifikuar e bërë bashkë të gjithë spektrin politik shqiptar. Së treti, protokolli i shtetit dhe shërbimet qeveritare treguan se janë ende poshtë lartësisë së dinjitetit që meritojnë figura të tilla në organizimin e homazheve dhe varrimit.Ceremoniali dështoi të ishte forma më e lartë e respektit, vlerësimit dhe përcjelljes. Se katërti, humbja e Sokol Olldashit është humbja e të gjithëve dhe një mundësi e jashtëzakonshme reflektimi të thellë për vlerën reale të jetës së gjithsecilit prej nesh. Së pesti, si gjithë të spikaturit që ikin para kohe, ai e konsumoi madhështinë e tij, brenda limitit kohor që kishte në dispozicion. Duke u bërë më i riu ndër të mëdhenjtë dhe më i madhi ndër të rinjtë e së djathtës shqiptare. Së gjashti, një ditë të gjitha fjalët që po fliten rreth kësaj gjëme do harrohen. Vepra mbetet. Për herë të parë në këto 23 vjet, ai u ngjiz dhe lulëzoi si alternativë për lidershipin e së djathtës shqiptare, brenda shtratit berishist. Ndaj kryevepra e Sokolit, është Olldashi.
Së shtati, trashëgimia më e madhe politike që la pas Olldashi është ndoshta edhe epitafi që ai meriton: Lider nuk emërohesh, bëhesh! Së fundi, pas reagimit qytetar ndaj vendimit për armët kimike të Sirisë dhe sjelljes së publikut ndaj tragjedisë së një politikani si Olldashi publikisht dhe në rrjetet sociale, përveçse një vend i hapur, po shkojmë me shpejtësi drejt së formësuari si shoqëri e hapur. Klasa politike duhet të dijë t’i lexojë mirë këto sinjale. Na ndiqni dhe në Facebook dhe Twitter

HermesNews - ©2013

stampa | chiudi