stampa | chiudi

Kulturë

17/11/2013 20:59:07

Albert Camus, qytetar i botës

Albert Camus do të kishte festuar 100 vjetorin e ditëlindjes këtë nëntor nëse një aksident automobilistik nuk do t’i kishte marrë jetën në 1960-ën






HermesNews - Albert Camus do të kishte festuar 100 vjetorin e ditëlindjes këtë nëntor nëse një aksident automobilistik nuk do t’i kishte marrë jetën në 1960-ën. Camus qe edhe shkrimtari më i ri në moshë i cili fitoi çmimin Nobel për letërsinë në 1957-ën, qe në krye të komitetit që mbështeste përpjekjet e Garry Davis në Paris në favor të lëvizjes për të krijuar “qytetarë të botës”, si dhe aftësitë e tij në të shkruar i qenë në ndihmë Garry Davis-it dhe Robert Sarrazac, pasi ai shkruajti deklaratën të cilën Davis dhe Sarrazac e lexuan kur ndërprenë takimin e Asemblesë së Përgjithshme të OKB-së në Paris në vitin 1948.

Si rrjedhim, për të festuar 100 vjetorin e tij, do të publikohet një libër, i cilësuar shpesh si “libër kafenesh”, me foto të shkrimtarit, i titulluar: “Camus, qytetar i botës”.

Në 1948-ën ai gëzonte një konsideratë të lartë si shkrimtar editorial i gazetës “Combat”, e cila lindi si një gazetë klandestine në 1941 kur Franca ishte pjesërisht e pushtuar nga trupat naziste, ndërsa gjysma tjetër e Francës ishte nën regjimin anti-demokratik të Vichy.

Pas pushtimit gjerman të Parisit, shfaqet teatrale dhe filmat lejoheshin gjithmonë nëse nuk binin ndesh me çensurën gjermane. Kështu që novela e Camus-it “I huaji” u publikua nga botuesi kryesor Gallimard. Stili me të cilin është shkruar kjo novelë e shkurtër përngjan mjaft me stilin e vjetër të Hemingway-t.

Vepra “I huaji” është një revoltë ndaj standarteve të një morali absolut i thurur nga vetë njeriu. Një temë të cilën Camus e ka trajtuar më gjerë në veprën e tij politiko- filozofike “L’Homme Révolté” e përkthyer shpesh si “Rebeli”.

Siç tha ai vetë dikur gjatë ceremonisë së dorëzimit të çmimit Nobel në Stokolm: “Fisnikëria e qënjes sonë qëndron në dy lloje angazhimi: së pari, për të mos gënjyer rreth diçkaje që tashmë dimë dhe, së dyti, rezistenca ndaj shtypjes.”

Camus lindi në Algjeri nga një baba francez, i cili u vra gjatë luftës së parë botërore duke e lënë vetëm një vjeç, ndërsa e ëma, analfabete, ishte një spagnolle, e cila e rriti të birin duke punuar si pastruese. Që i vogël, Camus ishte i stimuluar intelektualisht nga xhaxhai i tij i cili lexonte libra filozofie dhe ishte një aktivist i masonerisë.

Inteligjencën e tij të rrallë e vuri re si fillim një profesor i shkollës së mesme, i cili e ndihmoi Albertin e ri të fitonte një bursë studimi për në Universitetin e Algjerit, ku studjoi histori- filozofi duke mbrojtur një tezë mbi krahasimin mes doktrinës gnostike të Plotinius-it dhe asaj kristiane të Shën Agustinit.

Në idetë e tij, Camus i qëndroi besnik rrënjëve të edukimit mesdhetar dhe idetë e tij përkojnë me ato të stoikëve në Greqinë dhe Romën e lashtë, të parët që e konsideruan veten si qytetarë të botës. Ai ishte për të sotmen, jo për të nesërmen dhe gjithashtu ishte një kritik i fortë i doktrinës kristiane, e cila, sipas tij, i shtyente njerëzit të pësonin padrejtësinë e së tashmes, për t’u shpërblyer pastaj në qiell.

Në mënyrë të veçantë shkrimtari francez kundërshtoi politikën “e krishterë” të qeverisë së Frankos në Spanjë dhe patën një ndikim të madh në pikëpamjet e tij politike shkrimet e Andrè Malraux rreth luftës civile spanjolle. Gjithashtu kundërshtoi edhe regjimin stalinist, i cili bazohej në sakrificën e të sotmes për një të ardhme më të mirë. Sipas tij nuk kishte kurrëfarë diference të vdisje në një kamp sovietik apo në një kamp nazist. Ne nuk duhet të jemi as ekzekutore e as viktima (fillon kështu një ese e tij e famshme), Camus njihet më tepër si një gazetar dhe editorialist i zoti sesa si romancier.

Ai vuri të gjithë reputacionin e tij në shërbim të idealeve që çonte përpara Garry Davis, madje u vu pas hekurave për një copë kohë pasi doli të protestonte bashkë me Davis përpara burgut të Parisit në mbrojtje të një të riu, i cili kishte refuzuar shërbimin ushtarak, një njeri i cili luftoi për të kënaqur etjen për liri dhe dinjitet, të cilën çdo njeri e mbart në zemër.

Siç ka thënë vetë Camus në fund të veprës “Rebeli”: “Toka është e para dhe fundit dashuri e njeriut. Vëllezërit tanë marrin frymë nën të njëjtin qiell si ne; Drejtësia është diçka e gjallë. Tani sapo lindi një ndjesi e çuditshme gëzimi e cila na ndihmon të jetojmë e të vdesim, nuk duhet shtyer për më vonë”. Na ndiqni dhe në Facebook dhe Twitter

Daniela Vathi

stampa | chiudi