Ekonomi
17/08/2013 14:49:39
80% e qytetarëve me karta bankare
Një në çdo dy shqiptarë në moshë madhore zotëron tashmë një kartë bankare
TIRANE - Banka e Shqipërisë bën te ditur se numri i kartave bankare në fund të muajit Qershor 2013 arriti në 792 mijë, me një rritje prej 3% që nga fundi i vitit të kaluar. Kjo do të thotë se afërsisht një në çdo dy shqiptarë në moshë madhore zotëron tashmë një kartë bankare.
Për zonat urbane përdorimi i kartave bankare ka arritur në rreth 80% të popullsisë në moshë madhore dhe ky është një tregues i rritjes së shpejtë të përdorimit të produkteve bankare. Në pjesën më të madhe, kartat janë me funksion debiti, që ju mundësojnë klientëve tërheqjen e parave apo kryerjen e pagesave elektronike direkt nga llogaria e tyre rrjedhëse.
Kartat e debitit përbëjnë mbi 92% e të totalit. Por në rritje relativisht të shpejtë është përdorimi i kartave të kreditit, që në fund të muajit Qershor arritën në 58 mijë, me një rritje prej 19% që nga fundi i vitit të kaluar.
Sot kartat e kreditit zënë rreth 8% të totalit të kartave në qarkullim, ndërkohë që në vitin 2007 përbënin vetëm 2%. Karta e kreditit i jep klientit në dispozicion një linjë kreditimi nga ana e bankës dhe si i tillë është një instrument pagese më i avancuar në raport me kartat e debitit.
Ndaj rritja e përdorimit të kartave të kreditit tregon një zhvillim cilësor të tregut dhe kulturës financiare, ndonëse në përdorimin e pagesave elektronike Shqipëria vazhdon të jetë një treg i prapambetur krahasuar me pjesën tjetër të Europës.