Ekonomi
05/06/2013 16:38:24
Kriza, parlamenti kthen nivelin e pagave të vitit 2009 për deputetët
Bullgari: ngrirja e rrogave të deputetëve, e mbështetur nga 216 parlamentarë është një shenjë solidariteti ndaj jetës së vështirë të popullit bullgar
SOFJE - Parlamenti i ri i Bullgarisë, vendi më i varfër i Bashkimit Europian, vendosi sot rikthimin e pagave të deputetëve në nivelin e vitit 2009 dhe mori masa sociale në mbështetje të personave pa përkrahje, deklaroi kryetari i parlamentit, Mihail Mikov. "Ngrirja e rrogave të deputetëve, e mbështetur nga 216 parlamentarë është një shenjë solidariteti ndaj jetës së vështirë të popullit bullgar", theksoi ai.
Rroga e deputetëve në Bullgari është 1 100 euro, tre herë më e lartë se paga minimale e dhjetorit 2009. Ndihma sociale për nxënësit që shkojnë për herë të parë në shkollë është rritur për herë të parë pas vitit 2008 me 67 për qind në 126 euro. Asistenca për nënat me një ose dy fëmijë do të rritet 29 për qind duke arritur në 158 euro në muaj.
Numri i familjeve të cilat do të marrin ndihmë sociale për ngrohje gjatë dimrit të ardhshëm u rrit gjithashtu. Paga minimale në vendin ballkanik është 400 euro. Shumica e familjeve kanë të ardhura të deklaruara prej jo më shumë se 158 euro për person. Sipas sindikatave, shifra minimale për përballimin e jetesës është 289 euro për person.