stampa | chiudi

Ekonomi

23/05/2013 16:33:39

Ekonomiku dhe juridiku të preferuarit e qytetarëve për tregun e punës

Studimi/ Rreth 17% e të punësuarve në Shqipëri janë në sektorin e telekomunikacionit, ku përfshihen kompanitë celulare, telefonia fikse, internet provider, call center etj






TIRANË - Tregu shqiptar i punësimit është i larmishëm, por shqiptarët vazhdojnë të jenë tradicional në kërkesat e tyre për shkollim dhe punësim. Sipas një studimi të zhvilluar në vendin tonë nga një kompani private punësimi dhe këshillim karriere, HeadHunter, profesionet më të kërkuara nga shqiptarët mbeten ekonomik, juridik, profile të mjekësisë dhe inxhinierisë. Ndërkohë që në mbarë botën dhe në vendin tonë, kushte dhe mundësi më të mira pagese kanë sektorët e telekomunikacionit dhe ai i shitjeve. Sipas këtij studimi, rreth 17% e të punësuarve në Shqipëri janë në sektorin e telekomunikacionit, ku përfshihen kompanitë celulare, telefonia fikse, internet provider, call center etj. Ndërkohë rreth 14% e të punësuarve janë në sektorin e shitjeve dhe të tregtisë. Gjithashtu rezulton se 6.4% janë të punësuar në sektorin bankar.

Përqafimi i teknologjive të reja në Shqipëri krijon dhe mundësi shumë të mira punësimi. Një prej punëve më të kërkuara dhe të më paguara në vendin tonë, është inxhinier ATM (për mirëmbajtjen e bankomateve). Por aktualisht në këto vende pune janë punësuar shtetas të huaj, pasi ende nuk është përqafuar ky profesion nga vetë shqiptarët.

Ndërkohë dhe nga statistikat e zyrave të punësimit në vendin tonë rezulton se ofertat më të shumta për vende të lira pune janë informacion dhe komunikacion, ku aktualisht në Tiranë janë regjistruar 99 vende të lira në këtë sektor.

Ndërkohë një tjetër sektor që ofron vende të lira pune, i regjistruar në zyrat e punës në Tiranë është dhe sektori i industrisë përpunuese, ku aktualisht ofrohen 42 vende të lira. Më pas në listën e sektorëve që ofrojnë më shumë punësim renditen sektori i shitjeve, transportit dhe shërbimeve.

HermesNews - ©2013

stampa | chiudi