stampa | chiudi

Ekonomi

29/04/2013 19:27:19

Sa para humbën shqiptarët nga bllokimi i tre ligjeve ?

Bregu, 'bashkë me statusin e vendit kandidat, Rama u mohoi shqiptarëve dhjetra miliona euro'






TIRANË - Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, akuzoi sot kryetarin e opozitës, Edi Rama, si shkaktarin kryesor të bllokimit të votimit të tre ligjeve, që do të çonin Shqipërinë drejt statusit të vendit kandidat për në BE, duke humbur kështu, veç të tjerash, mundësinë e përfitimit dhe marrjes së financimeve, në vlera të konsiderueshme monetare dhe të rëndësishme për ekonominë e vendit.

Në një deklaratë për mediat, Bregu tha se "bashkë me statusin e vendit kandidat, Rama u mohoi shqiptarëve dhjetra miliona euro, fonde të BE, duke vazhduar t'u mohojë shqiptarëve të gjitha përfitimet që do të vijnë nga marrja e statusit të vendit kandidat, si vende pune apo bursa për studentët, në universitetet më të mira europiane".

Bregu akuzoi liderin e opozitës se bllokimi i tij nuk lidhet as me moralin dhe as me thelbin e tre ligjeve. "Bllokimi është politika e Ramës, si i vetmi qëllim elektoral që ai ka. Rama bllokoi në mënyrën më cinike tre ligjet, duke menduar vetëm për pushtetin e tij, pa menduar më parë se sa ndihma dhe grante do të humbasin qytetarët shqiptarë".

"Shqiptarët duan të ecin përpara dhe ne do të vazhdojmë të punojmë fort për anëtarësimin e vendit në BE, sikurse Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë", tha Bregu, ndërsa siguroi se "23 Qershori do të jetë dita e fundit e bllokimit që Rama i ngriti shqiptarëve".



HermesNews - ©2013

stampa | chiudi