Analiza
23/04/2013 19:17:36
Berati i rregullores së ç'rregullt
Berati, aty ku koshat e plehrave janë pa taban, e gastronomia tradicionale quhet 'shnicel vjenez'
TIRANË - Në se ke shkuar në Berat e nuk ke shijuar pamjen e mrekullueshme përtej Osumit, nën melodinë e bilbilave netëve të vona përballë Mangalemit me verë beratase buzë bordurave të lokaleve aty pranë, atëherë asgjë s’ke shijuar.
Ky është Berati në një këndvështrim panoramik, e do përpiqemi ti themi pothuajse të gjitha ashtu siç e gjeta, me humor apo jo, me mrekullitë e njëherazi absurditetin e kohës së sotme, në një ndërthurje të qytetit të lashtë 2400-vjeçar, që me sa duket prej vitesh ora i ka mbetur në vend.
Mëngjeset atje janë ndryshe. Aromë lulesh e ambiente të rrethuara nga gurë të skalitur. Ama të gjithë habiten kur dëgjojnë se ekziston edhe gliko trëndafili e domateje, përpos atyre “të zakonshmeve”, gliko arre, patëllxhani, nerënxe apo thane. Teksa je “banor mangalemas” prej një dite, nuk ke se si të mos bëhesh kurioz e ti ngjitesh së përpjetës së kësaj lagjeje, ku sheh ende kalldrëm por edhe antena parabolike që shprishin imazhin, sheh ndërtesa e dritare të mjerueshme por edhe rikonstruksione tek-tuk.
Të vjen keq teksa shikon Osumin, vajzën e legjendës e lumin e këtij qyteti, ku në skarpatet e tij varen lecka e qese ngjyra-ngjyra, e shtrati duket se kurrë nuk është menaxhuar.
Në mundsh të shkosh në Berat/ Rruga deri atje është plot mund, teksa para nesh shohim duke “u spërdredhur” gropave një kamionçinë rulotë me targa France. Të duket vetja sikur je co-pilot i së famshmes garë mes shkretëtirës “Paris-Dakar”, ku shtëllungat e tymit ngjiten me dhjetëra metra në ajër.
Në një çast, ndalojmë pranë një benzinato... Jo sepse kishim etje apo duhet të drekonim, por para nesh një gropë më se 30 cm e thellë që zinte tërë rrugën...
Shoferi ynë që kishte ditë që e bënte këtë rrugë, teksa ekipi i ATSH-së po përgatitej për Galanë “Berati, Histori Suksesi”, na rrëfen se ditë më parë në qendër të qytetit “një autoambulancë për pak përfundoi bashkë me pacientin e tyre në anën tjetër të rrugës, nga një gropë e madhe e hapur - e cila shpesh mbulohet veçse me dhé herë pas here nga Bashkia – pikërisht në qendër të qytetit, aty ku ndodhet edhe “Agjencia e Autobusëve”.
Së paku ditën rrugën mund ta shihje, por natën në këto rrugë pa rrugë, përfundoje “i lumtur" me diskun e makinës të shtrëmbuar, ashtu siç kishte ndodhur një ditë më parë me një kolegun tonë. Por s’është veçse ky Berati “fatalist”.
E ndërsa bëhemi kurioz, duke mos marrë vesh dhe aq nga gastronomia, shohim që ajo në fakt nuk është aspak tradicionale, por ashtu edhe nga vetë emri e forma e derdhur në një kupë me fron të lartë, i përngjan një mali të mbuluar me dëborë. Por ajo është një ëmbëlsirë franceze ku gjendet edhe si përbërës kremi i gështenjave, madje si kuriozitet thuhet se: “ëmbëlsira është përshkruar për herë të parë në një libër gastronomie nga një kuzhinier italian në 1475 e shërbehej shpesh në shtëpinë e Cesare e Lucrezia Borgia, e bija e Papa Aleksandrit të VI-të. Më pas u bë popullore në Francë në shekullin e XVII-të, rreth 1620. Fillimisht, kjo ëmbëlsirë ishte e verdhë, pasi si përmbajtje të saj kryesore kishte gështenjën e ëmbël me procesin e miksimit me vezë e sheqer”.
Premtime infrastrukture e koshat e rrugëve.../ Kryetari i Bashkisë Fadil Nasufi në një takim me ambasadorin i e OSBE-së, Eugen Wollfarth i premton këtij të fundit se herën tjetër do të bëhet edhe rruga...ndonëse vijon mandatin e tij të tretë 4-vjeçar që nga qershori i vitit 2011.
“Kush viziton qarkun e Beratit nuk do të mbetet veçse në Berat, por do të shkojë edhe në Kanionet e Osumit”, është shprehur ai. Wollfarth i shprehet se kishte parë foto spektakolare nga ky monument natyre, ndërsa “sportivisht” Kryetari i Bashkisë e fton të bëjnë së bashku rafting në Osum, duke i nxitur atij dëshirën për të vizituar më tej tërë zonën...
“Rruga është ajo që investitori e përthith shpejt dhe e menaxhon mirë gjithë situatën në çdo vend. Ka mbaruar rruga drejt Malit të Shpiragut, e për shkak të saj vlera e tokës është më e shtrenjtë se në qytet”, është shprehur Nasufi para ambasadorit Wollfarth.
E ndërsa i lëmë në bisedat e tyre largohemi drejt së vetmes lulishte përgjatë bulevardit “Republika”. Atje takojmë një të moshuar, një ish-oficer që ulet ngadalë në stolin gjysmë pa dërrasa, pranë nesh.
“Kur me vijnë nipërit e mbesa nga Greqia, i blejmë çokollata dhe ëmbëlsira e pasi i mbarojnë, ambalazhet e tyre duan ti hedhin mbeturinat në një kosh. I mbajnë deri sa ta gjejnë...por s’ka askund të tilla. Më pyesin e më vjen turp nga ata... Të shikosh vendasit që kanë lindur në Berat, pa të keq fare i hedhin në mes të rrugës. Për tu habitur është, pse jemi kështu ne”, shprehet ai.
E ndërsa flet për Beratin “e tij” Bashkimi thotë se “kur shtrohet rruga shkon veçse një ditë. Del ngaherë ajo kur ka qenë shtruar para 20-viteve...Ngelëm mes rrugës e baltës. Në Greqi sa herë kam shkuar i leva këpucët e kur u ktheva pas një muaji shkëlqenin ashtu siç ishin”, shprehet Bashkim Likaj, teksa hedh hapin përgjatë lulishtes plot aromë erëmirë me jargavanë varur, e cila në murg mbushet nga të rinjtë me kitara, e natën shndërrohet në aromë hashashi.
E në të vërtetë tërë koshat e plehrave që gjenden në anësoren e Bulevardit që mban emrin “Republika”, nuk mund të gjesh asnjë prej tyre të saktë. Nga jashtë gjithçka normale, por asnjë prej tyre – pothuajse mbi 15 copë - nuk kanë një taban duke bërë që gjithë plehrat të gjenden përreth tyre.
“Rruga gropa-gropa, si e keni ashtufarësoj bre...”, shprehet një prej tetë turisteve kosovare të ardhura nga Prizreni, pjesë e një shoqate të grave turko-kosovare, teksa gjejnë prehje nën hijen e lokal “Shpëtimit”.
Një prej tyre teksa bisedon me shoqet e saj, fillon debatet “...jo aspak, rruga s’ka filluar asnjë rikonstruksion...por veç dup-dup-dup. Ne nuk vijmë veç në Tiranë. Duam të shëtisim nëpër Shqipërinë tonë”, vijon ajo.
Një tjetër në këtë grup thotë që është hera e parë në Berat, por nuk harron të thotë se “rrugët janë katastrofë!”.
Pa ditur aspak gjuhën shqipe Hilmije Kursan ka lindur vërtetë në Kosovë, por më tej e rritur dhe e martuar në Turqi. “Më përngjan shumë me Turqinë e njerëzit atje, e nga mënyra tradicionale e jetesës çka pashë këtu në Berat. Po ashtu e shumë fjalë janë njësoj... Vlerat e hershme kulturore i përkasin së tepërmi dhe asaj periudhe”, thotë Kursan.
“Kemi qenë gati në gjithë Shqipërinë në këtë turin tonë 3-ditor. Vijmë pothuajse 2 herë në vit, të vizitojmë Shqipërinë. Na duan ne turqit dhe i duam fort shqiptarët”, thotë një tjetër.
Pasditja të rikujton kohët e pas-demokracisë, teksa muzgu bie mbi qytet e aroma e jargavanëve në lulishten përgjatë bulevardit “Republika”, venitet edhe nga shitësit ambulantë që rrinë në anësoren e rrugës duke shitur çingërrima. Por nuk eshtë veçse kjo pamja e grinjtë, për qytetin e Onufrit, e Kodikëve dhe e shumë vlerave të tjera trashëgimore. Le të jemi pozitivë e të hedhim më mirë shikimin përtej Osumit ku dritat e lagjes Mangalem e kalasë mbi qytetin e lashtë janë ndezur. Ishim në Berat !