Ekonomi
20/03/2013 16:38:13
Miratohet huaja për sigurinë e digave
Financimi do të ndihmojë në përmirësimin e efiçencës operacionale dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji
TIRANE - Komisioni për ekonominë dhe financat miratoi të mërkurën marrëveshjen e huasë, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të përmirësimit të Sigurisë së Digës në Hidrocentralin e Komanit.
Financimi do të mbështesë qeverinë në sigurimin e hidrocentralit të Komanit. Financimi do të ndihmojë në përmirësimin e efiçencës operacionale dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji.
HEC-i Komanit u ndërtua në Lumin Drin në pjesën veri-lindore të Shqipërisë në mes të kaskadës së Drinit në vitin 1985. Bazeni i këtij HEC-i ka një kapacitet prej 450 milion m3 ujë. Impianti u vu në punë në dy faza: njësitë 1, 2 dhe 3 në vitin 1985, dhe njësia 4 është vënë në punë në vitin 1988. Diga është e lartë 125 m.
Dy tunele furnizojnë me ujë të katër turbinat që ndodhen në sallën e turbinave. Kapaciteti i instaluar i HEC Koman është 600 MW dhe prodhimi mesatar vjetor 2,060 GWh. Impianti është i lidhur me rrjetin 220 kV të transmetimit.