Botë
19/02/2013 09:21:25
Irani reagon për takimin e grupit 5+1
Një zyrtar i ka quajtur jozyrtare fjalët për një lehtësim të sanksioneve ndaj Teheranit
TEHERAN - Irani deklaroi sot se nuk i konsideronte zyrtare propozimet që qarkullojnë ditët e fundit në kuadër të takimit me fuqitë e Grupit ''5+1'', në Kazakistan për zgjidhjen e çështjes bërthamore të Teheranit, bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së jashtme iraniane në një konferencë shtypi javore të zhvilluar nga ky dikaster. Në veçanti zëdhënësi, Ramin Mehmanparast i ka cilësuar ''komente jozyrtare'' zërat që qarkullojnë lidhur me një lehtësim të mundshëm të sanksioneve kundrejt Iranit, që ndalojnë shkëmbimet në ar dhe metale të çmuara në shkëmbim të hapave pozitive nga Teherani për sa i takon mbylljes së impiantit nëntokësor bërthamor të pasurimit të uraniumit në Fordo. ''Duhet të presim për të qenë të sigurt cila do të jetë qasja negociatore e që fuqitë e mëdha do të paraqesin zyrtarisht'', theksoi zëdhënësi.