Video
27/09/2014 17:09:30
Një vit pas humbjes; PD mbledh Forumin
Kuvendi Kombëtar do të zgjedhë anëtarësinë e Këshillit Kombëtar të PD-së, qe do të përbëhet nga 250 anëtarë, ndërsa një moment i rëndësishëm është dhe miratimi i ndryshimeve në statut
TIRANË - Demokratët mblodhën sot forumin më të lartë të saj, Kuvendin Kombëtar. Ata do të riorganizojnë këtë forcë politike. 7500 delegatë, që përfaqësojnë rreth 101 mijë anëtarë të PDsë, janë ftuar për të marrë pjesë në Kuvend, që shënon dhe numrin më të lartë të pjesëmarrësve në forum. Kuvendin do ta përshëndesin dhe dy ish-kryetarët e PD-së, Sali Berisha dhe Eduard Selami.
Kuvendi Kombëtar do të zgjedhë anëtarësinë e Këshillit Kombëtar të PD-së, qe do të përbëhet nga 250 anëtarë, ndërsa një moment i rëndësishëm është dhe miratimi i ndryshimeve në statut, që do të prezantohen nga deputeti Eduard Halimi. Punimet e Kuvendit u çelën me një mesazh përshëndetës që Joseph Daul, kryetar i Grupit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, i drejton Partisë Demokratike.
"U ringritëm nga humbja duke menduar, debatuar e diskutuar, duke e vënë gishtin tek mangësitë dhe duke u përballur me qeverinë më antidemokratike", tha sot Basha.
"Për të gjitha mangësitë, sot, në emër të PD-së, ju kërkoj ndjesë nga kjo tribunë me përulje anëtarëve të PD-së dhe para së gjithash qytetarëve shqiptarë, që kanë pasur arësye të jenë të zhgënjyer në pritshmërinë e tyre. Dua t’u deklaroj këtu angazhimin dhe përkushtimin tonë për korrigjim të mangësive dhe gabimeve të PD-së", tha Basha sot në fjalën e mbajtur në punimet e Kuvendit Kombëtar.