Video
31/05/2014 17:22:45
AMF, ulen pagesat e dëmeve
Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik
TIRANE - Një nga pikat e dobëta të tregut të sigurimeve në Shqipëri mbetet raporti i ulët dëme/prime, që për periudhën janar-prill 2014 sipas të dhënave të AMF-së, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, pagesat e dëmeve u ulën me rreth 1.30% krahasuar me periudhën janar-prill të vitit 2013. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 669 milionë lekë, apo 80.90 %të totalit të dëmeve të paguara bruto. Gjithsej janë paguar 827,030 mijë lekë. Numri i dëmeve të paguara është rritur me 1,711 dhe kap shifrën 8,722 nga të cilat 8,566 dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 156 nga shoqëritë e sigurimit të Jetës. “Tarifimi i vazhdueshëm nën nivelin e primit të rrezikut ka cenuar ndjeshëm likuiditetin dhe përfitueshmërinë e siguruesve, duke vënë në rrezik shëndetin financiar të tyre dhe për rrjedhojë cilësinë e procesit të shlyerjes së detyrimeve ndaj të siguruarve”, bën të ditur AMF në raportin e saj vjetor. Detyrimet për dëmet e papaguara në tre vitet e fundit janë dyfishuar, nga 609 milionë lekë në vitin 2011 në 1.3 miliardë lekë në vitin 2013. Vetëm për vitin 2014, fondi për shlyerjen e detyrimeve për dëme pezull deri më 31.12.2013, është përcaktuar në masën 430 milionë lekë. Kjo nënkupton që masa e fondit në dispozicion të pagesës së dëmeve për periudhën 2012-2014 është trefishuar. Treguesi llogaritet duke u bazuar në numrin e automjeteve në qarkullim, sipas DPSHTR, që për 31 dhjetor 2013 është 445,956 dhe numrin e policave të vlefshme, që është 325,929”, thuhet në raportin vjetor të AMF-së.