Video
14/05/2014 16:23:38
Mund t'ju sugjeroj një protestë ?
nga Doriana Metollari
HermesNews - Është e turpshme sesi opozita po e përdor sekuestrimin e drogës në avionin e Divjakës, mbi të gjitha sepse ka filluar të mendojë për dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë së re; jo sepse nuk mund të kërkojë dorëheqjen, por sepse kjo sjellje fëminore ka vetëm një shënjestër politike të ripërsëritur në histori, një Zot e di sa herë.
E kush e do politikën pa drejtësi ?
Demokratët nuk kanë treguar maturi politike në gjithë këtë, nuk kanë qenë të zotë të zbulojnë lidhjet apo të paqaqesin ndonjë provë mes ngjarjes dhe politikës së implikuar.
Presim më shumë dhe më mirë se kaq, mbi të gjitha sepse droga...ej po flasim për drogë !!, ca me anije e ca me avion, mbi mushka dhe në makina diplomatike, drogën e njohin mirë qytetarët.
Atëherë çfarë janë këto shfryrje e kërkësa për dorëheqje ? Vërtet kaq pak inteligjencë mendojnë se ka elektorati blu sa u mjafton vetëm të ngrenë shkopin e ti mbledhin për protesta si delet në stan ?
Ju sugjeroj unë një protestë. Pse të mos protestojmë për akuzat e drogës ndaj ushtrisë shqiptare ? Të dalim para dyerve të Prokurorisë. Çfarë po bëhet me provat në prokurori ? Nëse duam që institucionet të funksionojnë, le të protestojmë; por prit se akuzat politike, këto akuza që përdoren për të marrë pushtet, pa kurrfarë llogjike, janë më shumë se absurde. Fyese.
Nëse ndonjëherë dikujt i teket të luajë me njerëzit, le të luajë më mirë para pasqyrës.
Zbuloni lidhjet, kërkoni që Prokuroria të hetojë për ushtrinë; po flasim për ushtrinë shqiptare, jo mercenarë të paguar. Nëse dikush ka diçka vërtet për të thënë, le të fillojë t'i marrë me seriozisht ata që ka përballë.
Kam ndjesinë se kush do vërtet të zbulojë të vërtetën, nuk fillon nga akuzat, por nga pyetjet.