Video
21/03/2014 13:38:31
Dita për të mbrojtur pyjet
Përmes një letre dërguar Ban Ki-moon, ministri Koka informon në lidhje me bashkimin e Shqipërisë ndaj kësaj nisme globale për të promovuar vlerat e pyjeve dhe natyrës
TIRANË - Ministria e Mjedisit iu bashkua thirrjes së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur pyjet dhe natyrën, ndërkohë që ministri Lefter Koka firmosi pak ditë më parë urdhrin për shpalljen e 21 marsit si Dita Ndërkombëtare e Pyjeve. Kjo, sipas ministrit Koka, në sajë të rëndësisë që pyjet kanë në vendin tonë, por edhe duke iu bashkuar thirrjes për të mbrojtur pyjet dhe natyrën, bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki-moon. Përmes një letre dërguar Ban Ki-moon, ministri Koka informon në lidhje me bashkimin e Shqipërisë ndaj kësaj nisme globale për të promovuar vlerat e pyjeve dhe natyrës. “Mbetjet urbane dhe inertet, prerja e pyjeve dhe të tjera veprimtari kundër natyrës kanë dëmtuar një nga asetet më të çmuara të vendit tonë, i cili jo në pak raste është përfshirë në guidat më të njohura turistike për bukurinë natyrore dhe historinë që përfaqëson”, shkruan Koka, në letrën drejtuar Sekretarit të përgjithshëm të KB.