Video

02/03/2014 12:20:02

Putin i kërkon senatit ndërhyrje ushtarake në Krime

Gjendja në Ukrainë vazhdon të përshkallëzojë duke u bërë gjithnjë e më kritike. Vladimir Putin i kërkon senatit të dërgojë forcat ushtarake në Krime. Ukraina kërkon mbrojte





MOSKE- Gjendja në Ukrainë vazhdon të përshkallëzojë duke u bërë gjithnjë e më kritike. Presidenti rus Vladimir Putin sapo i ka kërkuar senatit autorizimin për të dërguar forcat ushtarake në Ukrainë sipas tij “për të normalizuar gjendjen”.

Sipas të dhënave nga Kremlini rreziku i një ndërhyrje ushtarake nga ana e Rusisë në Ukrainë nuk është ende i sigurtë. Gjithashtu theksohet fakti se presidenti Putin edhe pse ka marrë faktikisht autorizimin nga parlamneti për ndërhyrje ushtarake, ende është i pavendosur. Nga ana e Kremlinit pritet që gjendja në Ukrainë të stabilizohet dhe të mos ketë përshkallëzime të tjera të cilat do të bënin të mundur ndërhyrjen ushtarake nga trupat ruse.

Në dyshim është akoma edhe vendimi për të thirrur në atdhe ambasadorin rus në Washington, fakt i cili do kishte një peshë mjaft domethënëse në marrëdhëniet ndërkombëtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç duket qartë, lufta e ftohtë vazhdon të trazojë ujërat dhe nuk është aq e tejkaluar sa mendohej. Pra gjendja rrezikon të bëhet tejet kritike.

Agjensia e shtypit shtetëror rus Itar-Tass bën gjithashtu të ditur se ish-kryeministrja ukrainase Yulia Timoshenko është e pritur në Moskë më 3 mars me qëllim për të diskutuar dhe për të gjetur një zgjidhje ndaj situatës së vështirë që është krijuar në Ukrainë.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin e thellë për krizën ukrainase dhe kërcënimin e mundshëm të lëvizjeve ushtarake. Me ton të ashpër Obama i ka dërguar një mesazh Rusisë ku thekson se çdo lloj ndërhyrjeje e armatosur në Ukrainë do të ishte tepër destabilizuese për gjendjen si dhe do të përbënte një rrezik të mundshëm që i kanoset jo vetëm Ukrainës, duke qenë se do të përbënte një thyerje të angazhimit rus për respektimin e pavarësisë, sovranitetit dhe kufinjëve të Ukrainës, po ashtu edhe të ligjeve ndërkombëtare në tërësi. Dhe kjo natyrisht ka “një çmim”.

Gjithashtu kancelarja gjermane Angela Merkel po ndjek me vëmendje zhvillimet në Ukrainë. Ajo shprehet e shqetësuar për vendimet e senatit rus, të cilat do të kishin pasoja jo të vogla për të gjithë Bashkimin Europian.
Merkel i ka dërguar një apel Moskës ku i kërkon të respektojë sovranitetin e Ukrainës.





Daniela Vathi