Video
20/12/2013 11:32:07
Kate Middleton e përgjuar prej vitesh
Bisedat telefonike te William dhe Kate kanë qenë objekt përgjimi prej vitesh
LONDER- Cifti i ri i familjes mbretërore angleze përgjohej edhe përpara se të martoheshin, bisedat e tyre telefonike kanë qenë objekt përgjimi prej vitesh. Ky lajm u bë publik para disa ditësh pas seances mbi përgjimet e paligjshme ku juria paraqiti tre ekstrakte të shkëputura nga bisedat e përgjuara të çiftit mbretëror ende të pamartuar.
Bisedat e përgjuara ishin të ruajtura nga Glenn Mucaire, një investigator privat britanik i përfshirë në çështjen e shumë përfolur Tabloidgate.
Mesa duket përgjimet e telefonatave të William dhe Kate viheshin në shitje duke publikuar përmbajtjen e bisedave telefonike, si për shembull rasti kur William quante të fejuarën e tij “babykins” (vogëlushe), apo kur i premtonte asaj sms intime për në mbrëmje, madje ishte publikuaredhe rasti ku William i tregonte Kate se kishte humbur rrugën në akademinë e Sandhurst duke u gjendur në mes të një stërvitjeje ushtarake. Kjo ngjarje kishte ndodhur në vitin 2006 dhe ishte mjaft e “sikletshme” për princin William siç kishte rrëfyer ai vetë.
Detajet e spiunimit të paligjshëm nga ana e disa gazetave angleze dolën në pah gjatë procesit në gjyq. Ndërkohë krerët e gazetës “News of the World” Andy Coulson dhe Rebekah Brooks gjenden aktualisht nën proçes në Londër së bashku me pesë persona të tjerë të akuzuar për publikimin e përgjimeve telefonike të paligjshme.
Sipas akuzave, revista e lartpërmendur ka përgjuar bisedat telefonike në mënyrë të paligjshme të mbi një mijë personave në Mbretërinë e Bashkuar duke nisur që nga vitet ’90.
Mes të tjerëve, u bënë publike edhe përgjimet e një tjetër pjesëtari të familjes mbretërore, princi Harry.