Video
04/10/2013 18:10:06
Rruga e gjatë deri tek drejtësia
nga Renaldo Bregu
TIRANE - Kur vjen puna për në Gjykatë të gjithë ne themi sa më larg asaj jo sepse nuk gjen dot drejtësi, por ajo të harxhon shumë kohë, lekë dhe nerva. Gjykata në biseda ndërpersonale me avokatë dhe profesionistë të fushës kërkon përvec të tjerava një rrugë të drejtë proceduriale duke respektuar afatet, gjë e cila përbën “lodhje” edhe për vetë njerëzit e fushës.
Por kush është institucioni që mund t’ia dali Gjykatës në të gjithë rrugëtimin e saj drejt një vendimi të drejt dhe të paanshëm në harmoni me bazën ligjore!? Po të më pyesni mua, institucioni i parë është vetë Gjykata që ia del vetevetes, pastaj vijnë të interesuarit realë, hallexhinjtë në gjuhën popullore, dhe më pas krijohen kushtet për ata që duan të jetojnë me këtë profesion dhe që kanë rënë dakort me ndërgjegjen e tyre për të bërë këtë punë janë prokurorët dhe avokatët me integritet, pas këtyre vijnë të gjithë dallaveraxhinjtë që ndërhyjnë dhe ndikojnë për të njollosur rrugën drejt një vendimi të drejtë gjyqësor.
Më datë 12.11.2012, rreth orës 9:30 – 10:00, duke kaluar unë dhe qytetarë të tjerë tek vendkalimi i këmbësorëve në Vijat e Bardha, tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi (Sheshi Karl Topia), na rrezikon jetën një automjet tip foristradë, dhe të nevrikosur të gjithë sa ishim duke kaluar në ato moment i bërtëm drejtuesit të mjetit “cfarë bën o njeri se sa shkele/ na shtype”!
Fjalët tona e bënë drejtuesin e mjetit me “nerva” dhe vecanërisht shokët e tij që ishin mbrapa në makinë të cilët ndalën makinën pasi ndalojnë 50 metra më poshtë dhe erdhën me vrap dy djem të rinj me uniforma të një policie private drejt nesh, me shkopin e gomës në dorë. Qytetarët e tjerë vrapuan me vrap për t’iu larguar kanosjes së padrejt që do u bëhej.
Unë dhe dy të tjerë qëndruam, dhe më pas qëndrova vetëm unë, por bëra shumë gabim për gjëndjen time fizike, por jo për moralin tim, sepse jam goditur prej njërit nga ata më një shkop gome duke më dëmtuar seriozisht gjymtyrën e këmbës së majtë dhe dëmtime në kokë. Dëshmitarët e rastit më thanë që autorët nxorrën dhe pistoletën, por Unë nuk pashë gjë, sepse më duhej të mbrohesha nga goditjet.
Mënjëherë mbaj shënim targën e makinës, ngjyrën e saj dhe tipin, dhe telefonoj Policinë e Shtetit në numrin 129 dhe 112. (ky numri i fundit më ka rezultuar më serioz për ndihmën ndaj qytetarëve). Policia vjen pas më shumë se 24 minuta, dhe pasi më marrin emrin shënim, më dërgojnë tek Rajoni i Policisë Nr. 3 të bëj denoncimin, ndërkohë ata vet as nuk u vunë në lëvizjë të kapjes së agresorit dhe nuk bënë asnjë lloj njoftimi në radio për të ndaluar agresorët, madje në gjuhë të trupit shprehnin përtesë që po merren me këto gjëra.
Tek Rajoni i Policisë Nr. 3, kam harxhuar 140 minuta për të pritur ardhjen e Oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ) për të më marrë dëshminë, dhe kur erdhi OPGJ-ja, u ecejak pak si shumë me kolegët e vet, pasi që nuk dinin në juridiksion të kujt Rajoni Policie ishte vendi i ngjarjes, Rajoni Nr. 2 apo Rajoni Nr.3, por u gjet, ishte në juridiksion të Rajonit të Policisë Nr. 3. OPGJ-ja gjatë tregimit të ngjarjes që i bëja më komunikonte që “do të të ndihmoj unë, mos u mërzit”, me një mënyrë sikur po më bënte nder, jashtë rregullores që i njeh puna për të cilën ka rënë dakort, dhe sikur varej puna nga dëshira e tij! Por nuk më zgjati shumë prania me këtë OPGJ, pasi që vendin e ngjarjes e kishte tjetër OPGJ kolegia e tij, që për mua u tregua shumë institucionale dhe pa dallavere.
Pasi më ikën gjysma e ditës tek Rajoni i Policisë, dhe me kërkesë të kësaj të fundit shkoj tek Mjeku Ligjor, i cili konstatimet përkatëse ja dërgon direkt Rajonit të Policisë në vazhdim.
Pas kësaj dy ditë më pas i bëj një kërkesë me shkrim Drejtorisë Rajonale të Policisë Tiranë, të ruaj imazhet filmike në vendin e ngjarjes ku ndodhi sulmi, duke i treguar dhe denoncimin që kisha bërë në Prokurori. Pasi që në atë vend ishin vendosur pothuajse më shumë se katër kamera të sigurisë publike, sepse dhe vëndi ishte me dentisitet të lartë trafiku dhe këmbësorësh, kërkesë të cilën nuk morra kurrë përgjigje nga Drejtoria Rajonale e Policisë Tiranë.
Më datë 29.12.2012, njihem me Vendimin e Prokurorisë për Mosfillim të Procedimit Penal, të Prokurorisë së Rrethit Tiranë të marrë më datë 19.12.2012, ku unë u njoha me të 10 ditë më pas dhe kisha pesë ditë afat nga data e marrjes në dijeni për të bërë ankimim në Gjykatën e Rrethir Gjyqësor Tiranë. E thënë ndryshe nuk kisha kohë të shijoja emocionet e ndrimit të viteve, por të kapja afatet e ankimimit.
Pasi bëj depozitimin e ankimimit më duhet të përballesha me një Gjyqtar aspak serioz në detyrën e tij ndaj cështjes time, duke më vënë në sedër “që ti je djalë më shkollë, me këto gjëra merresh” dhe molestime të tjera në formë presionesh ndaj meje për të më viktimizuar, për të tërhequr kërkesën apo për të pranuar qorrazi ato që komunikonte ai.
E gjithë kjo sjellje e Gjyqtarit të Shkallës së Parë, për vetë faktin se ai e quante ulje të merrej me këto cështje, gjë të cilën Unë e kuptova me shumë vonesë pavarësisht që miq të mi të afërt më thonin hapur, që ti ke të drejtë, por Gjykata nuk merret me këto gjëra sepse e quan për ofendim, dhe ku, në Gjykatën Penale ku ofertat ndaj Gjyqtarëve nga qytetarë hallexhinj janë shumë të majme.
Dhe e gjithë kjo më rezultoi e vërtetë jo vetëm nga ndjesia ime ndaj këtij Gjyqtari të neveritshëm për emocionet e mia, ku megjithëse i kisha shpëtuar për fat vdekjes apo gjymtimit, më duhej të përballesha edhe me papërgjegjshmërinë e tij të veshur gjoja me ligj. Neveria ndaj këtij Gjyqtari m’u shtua më tej ku në Kërkesën për t’u Pajisur me Kopjen e Provave në Dosje, drejtuar atij me shkrim, jo që m’u refuzua, por ky Gjyqtar në mënyrën më të paskrupullt në seansën gjyqësore të rradhës më thotë: “ti vërtet ke bërë një kërkesë, por nuk ke shkruar bazën ligjore, si rrejdhojë unë po e rrëzoj”!
Ky është një veprim kriminal në emër gjoja të ligjit në optikën time, që një Gjyqtar bën ndaj një qytetari te thjeshtë duke u kapur pas qimes së dërrit, pra nuk kisha shkruar bazën ligjore, duke i shkëlqyer sytë e tij gjithë kënaqësi që “jo cdo kush mund të më verë mua në lëvizje në emër të ligjit”, dhe sikur mos mjaftonte kjo, nuk pranoi as parashtrimet duke më rrëzuar kërkesën më pas.
Gjyqtari më komunikoi haptazi, që Gjykata nuk merret me parandalimet, merret me pasojat, e thënë ndryshe “ti nuk ke vdekur ose nuk je sakatuar, atëherë pse vjen ne Gjykatë!?” Të gjitha dyshimet e mia ndaj këtij Gjyqtari u vërtetuan me prishjen e vendimit të tij nga Gjykata e Apelit Tiranë.
Në qoftë se në Gjykatën e Dhomës Penale të Rrethit Gjyqësor Tiranë për periudhën Mars – Prill 2013 do kishte të istaluar sistemin audio të regjistrimit të seancave gjyqësore, ndaj këtij Gjyqtari do ishin marrë masa disiplinore, por edhe mua do më jepej më shumë mundësi të vendosja dinjitetin tim në vënd.
Pa pritur që të zbardhej Vendimi i Gjyqtarit të Shkallës së Parë, më duhej në mënyrë emergjente të bëja Kërkesë Ankimore në Gjykatën e Apelit, për të kapur afatet pasi që kisha vetëm 10 ditë kohë dhe nuk i dihej kur mund të zbardhej Vednimi, gjë që rezultoi e vërtetë sepse Vendimi u zbardh me vonesë, pothuajsë në kohën limit të të drejtës time për ankimim.
Më datë 02.10.2013, ora 11:00, kisha seancën gjyqësore në Gjykatën e Apelit Tiranë, dhe të gjitha pritshmëritë e mija ishin për një gjyqësor që vepron si rrjedhojë e forcës së zakonit dhe jo forcës së arsyes. U përgatita në masën 70% për të më rrëzuar kërkesën, dhe të vetmen gjë që duhet të ngushëlloja veten do ishin, vënia në lëvizje e institucionit të Gjykatës së Apelit, vënia në lëvizje e tre Gjyqtarëve të cështjes, e tre sekretareve që ishin në ato caste dhe e Prokurorit të Tiranës që kishte ardhur gjithë përtesë.
Edhe fillimi i seancës drejt kësaj rruge të conte, por ajo që vuri në mendime trupën gjykuese ishin parashtrimet/ pretendimet e mia me shkrim të cilat e detyruar Relatorin të pyesi Prokurorin si është cështja në themel, gjë e cila e detyroi Gjykatën më pas të pyesi përsëri Prokurorin “pse nuk u identifikua autori” dhe përgjigjia e Prokurorit ishte gjithë nerva dhe përtesë “pse unë do t’a identifikoj autorin”, pas kësaj Relatori menjëherë i tha “ok, ok” dhe trupa gjykuese u tërhoq për të marrë vendimin.
Pas 10 minutash merret vendimi, Gjykata e Apelit Tiranë, më pranon kërkesën dhe detyron Prokurorinë Tiranë të rifillojë një hetimin të plotë dhe të gjithanshëm të rrethanave të cështjes.
E thënë ndryshe, Prokuroria e Rrethit Tiranë duhet të identifikojë autorët e krimit si institucioni i vetëm legjitim që ka gjithë infrastrukturën dhe logjistikën e nevojshme, si dhe qëllimin për të cilën është krijuar, dhe jo të tallet në vendimet e saja duke i komunikuar qytetarit pa pikën e turpit dhe në një mënyrë tallje institucionale, që cdo lloj rrahje në masën e 9 ditë i shtrirë në shtrat, nuk përbën objekt hetimi për Prokurorinë, c’ka do të thotë që qytetarët duhet të hyjnë në vetëgjyqësi për cdo lloj dëmtimi fizik midis tyre, përderisa dëmtimi nuk është plagosje e rëndë ose vrasje që Prokuroria e kësaj Republike të lëvizi pak të ndenjurat e saja, dhe të bëjë detyrën për të cilë nështë krijuar, ose sic më pëlqen mua të them i frymëzuar nga Sartre “detyrën për hir të detyrës”.
Por ky rrugëtim i qytetarit për në Gjykatë është vetëm fillimi i një cështje e cila duhet të ishte e tillë që më Nëntor 2012, në qoftë se Prokuroria e Rrethit Tiranë do bëntë detyrën për të cilën është krijuar!
Historiku i Cështjes:
Datë 12.11.2012, bëj kallëzim për veprën penale të rahjes prane Rajonit të Policisë Nr. 3, tek Oficeri i Policisë Gjyqësore.
Datë 12.11.2012, shkoj tek Mjeku – Ligjor për kryerjen e Ekspertimit me Konstatimet përkatëse, dhe vendimin dërguar Rajonit të Policisë Nr.3.
Datë 14.11.2012, i bëj kërkesë Avokatit të Popullit dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë Tiranë, “ankesë me zë të lartë për rrezikun premanent në Vijat e Bardha ndaj qytetarëve”.
Datë 14.11.2012, i bëj kërkesë Drejtorisë Rajonale të Policisë Tiranë, për ruajtjen e imazheve filmike nga kamerat e vendosura në ambientitet publike nga Policia e Shtetit për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve. (pa përgjigje)
Datë 29.12.2012, në adresën time vjen kopja e Vendimit per Mosfillim te Procedimit Penal, te Prokurorise se Rrethit Tirane, vendim i cili ishte marrë më datë 19.12.2012.
Datë 01.01.2013, ankimoj Vendimin, kundër Vendimit për Mosfillimin e Procedimit Penal Nr. 8667, datë 15.11.2012, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Datë 26.02.2013, i kërkoj Prokurorise Tirane, të pajisjem me dosjen Nr. 8667, datë 15.11.2012, për efekt përdorimi në Gjykatë. (pa përgjigje)
Datë 18.04.2013, I bëj kërkesë Gjyqtarit të cështjes, të pajisem me kopjen e provave në dosje, kërkesë të cilën Gjyqtari e hedh poshtë gjithë kënaqësi instiktore.
Datë 26.04.2013, Gjykata e Dhomës Penale Tiranë merr Vendim me Nr. Akti 266, datë 26.04.2013, duke me rrëzuar kërkesën “Kundër Vendimit për Mosfillimin e Procedimit Nr. 8667, datë 15.11.2013”, të Prokurorisë së Rrethir Gjyqësor Tiranë.
Datë 30.04.2013, Ankimoj kërkesën në Gjykaten e Apelit Tiranë
Datë 02.10.2013, Gjykata e Apelit Tiranë pranon kërkesën për “Prishjen e Vendimit të Mosfillimit të Procedimit Penal Nr. 8667, datë 15.11.2012, dhe detyrimin e Prokurorisë Tiranë të filloj procedim penal në përputhje me ligjin dhe rrathanat e faktit, si dhe prish Vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Nr. Akti 266, datë 26.04.2013. Na ndiqni dhe në Facebook dhe Twitter
* Letra publikohet e plote dhe eshte ngjarja qe HermesNews trajtoi ne editorial