Video
08/07/2013 16:32:58
Shanse të mira për Greqinë: në prag të këstit të dytë të ndihmës
Mblidhen Ministrat e Financave të 17 vendeve: situata në Portugali, tjetër emergjencë
BRUKSEL - Duket se marrëveshja për disbursimin e këstit të radhës për Greqinë është në rrugë të mbarë, përpara mbledhjes së ministrave të Financave të zonës euro, të cilëve do t'u duhet njëkohësisht të gjejnë zgjidhje për situatën në Portugali, ku kriza politike shkaktoi frikën e një rikthimi të krizës së euros.
Ministrat e Financave të 17 vendeve do të mblidhen në Bruksel në prani të drejtoreshës së përgjithshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde. Para fillimit të mbledhjes, ekspertët e trojkës, njëherësh edhe grupi i kreditorëve të Greqisë, i dhanë shpresë Athinës duke shpallur fundin e misionit të tyre dhe një miratim paraprak për disbursimin të paktën një pjese të këstit prej 6,3 miliardë eurosh.
Por, vendimi përfundimtar u takon ministrave të eurozonës. FMN do të marrë, nga ana e saj, një vendim për zhbllokimin e një ndihme financiare prej 1,8 miliardë eurosh. "Do të dëgjojmë atë që ka për të na thënë trojka", konfirmoi presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem sapo mbërriti në Bruksel.
"Duke u bazuar mbi raportin e trojkës, do të vendosim mbi mundësinë e disbursimit të fondit ndihmës si dhe sasinë e tij", shtoi ai. "Misioni i ekspertëve arriti në një marrëveshje paraprake me autoritetet mbi reformat e duhura ekonomike dhe financiare që garantojnë mbarëvajtjen e programit të ndihmës", citon një deklaratë shtypi e trojkës.
Sipas trojkës, perspektiva makroekonomike është konform parashikimeve, sipas të cilave do të ketë një rikthim të rritjes ekonomike në vitin 2014. Ekspertët janë të mendimit se e ardhmja mbetet e pasigurt, për shkak të vonesave në zbatim të disa aspekteve të këtyre politikave.
Për të vepruar në përputhje me planin, Athinës do t'i duhet të reduktojë 4 000 vende pune deri në fund të vitit si dhe t'u imponojë ndryshimet 25 000 punonjësve në administratën publike. Me gjithë angazhimin e saj serioz, Greqia kërkon më shumë kohë për zbatimin e këtyre reformave. Një problematikë tjetër është deficiti i vendit në sektorin e shëndetit publik, i cili, sipas ekspertëve evropianë, është rritur gjatë pesë muajve të parë të vitit.