Video
01/07/2013 11:00:48
Arsyeja në politikë
nga Bujar Plloshtani
TIRANE - Përgjatë këtyre shekujve të fundit, diskutimet politike janë shtrirë në segmentin e ideologjive të nxehta rivale, duke pretenduar në dominimin ndaj tjetrit. Ideologjitë rivale shprehin interesin për dominim ndaj tjetrit. Ato nuk paraqesin ambicie për bashkërenditje politike ndërmjet veti, por plan për të dominuar një shtet sipas nevojës dhe interesit.
Arsyeja në politikë mund të konsiderohet si veprim i arsyeshëm në konsolidimin e shtetit juridik. Kuptimin e shtetit juridik, Hans Kelzeni e afirmoi duke menduar se kriteri themelor për vlerësimin e demokratizimit të një shteti, për cilësimin e tij si shtet juridik është përputhja e ligjeve dhe e akteve nënligjore me kushtetutën dhe, për ta verifikuar këtë përputhje, ekzistenca e një kontrolli të institucionalizuar të kushtetutshmërisë të realizuar nga një gjykatë e posaçme, është një nga karakteristikat thelbësore të shtetit juridik në kohën tonë.[1]
Sidomos shteti juridik duhet të konsiderohet si instrument i veçantë për ta zbatuar ligjin dhe të drejtën si tërësi normash që e aplikon shteti, ku me anën e të cilit ky sistem i qeverisjes demokratike të ketë mundësinë e depërtimit në mekanizmat juridikë. Pra, me fjalë tjera, shteti juridik nënkupton sistemin e qeverisjes me vlera demokratike ku gjen mundësinë e depërtimit në mekanizmat juridikë. Duke rimarrë konceptet e Kelzenit, juristi dhe politologu i njohur francez Moris Dyverzhe thotë se në një demokraci normat juridike para së gjithash duhet të kenë një strukturë dhe një përmbajtje të veçantë të cilat përcaktojnë shtetin juridik. Pastaj ato duhet të interpretohen e të zbatohen nga organe gjyqësore të pavarura.[2] Prandaj, një shtet që tenton të qeveriset me sistemin e demokracisë i afrohet më tepër qeverisjes së mirëfilltë të shtetit juridik. Demokracia nuk funksionon si sitem politik pa pasur një shtet të së drejtës.
Përcaktimi politik që kemi kuptuar në këto vitet e fundit po na jep bindjen se ende jetojmë me "joshjen e brendisë së politikanit të rastit", duke u bërë pakuptim heronj mbi kataklizmën e përgjithshme politike. Duhet një ndryshim i vetëdijës kolektive për ta ndryshuar modelin e politikanit të rastit, që më pas të vijë ndryshimi në përcaktimet politike. Në një shtet ku gjen aplikim politikat liberale apo sistemi i vlerave demokratike në depërtimin e mekanizmave juridikë e bën shtetin të forcohet në sundimin e ligjit, dhe të jetë shembull i një qeverisjeje të mirëfilltë për shoqërinë dhe shtetin.
"Njëri jeton në kurriz të tjetrit, njëri përparon në dëm të tjetrit. Të gjitha epokat e mëdha të kulturës janë epoka të dekadencës politike: ajo që ka qenë e madhe në kulturë ka qenë gjithnjë jo politike, madje antipolitike...".[3] Kjo nuk konsiston aspak në nihilizëm, tek e cila po shohim një përsëritje të dekadencës së kulturës dhe shkencës, pikërisht në kohën kur politika mbështet gjykimin e saj mbi parimet e moralit imagjinar për të përfituar në kurriz të turmës. Ndërkaq, edukimi i lartë u përket pak njerëzve, që kontribuojnë në vlerën e përbashkët.
Andaj, politikani i rastit nuk do mundet të bëhet asnjëherë e madhërishmja, të paktën në vendet Ballkanike, sepse e bukura nuk qëndron mbi çështjen, por mbi nevojën e domosdoshme shpirtërore. Shtetet e rajonit janë duke ndjekur një politikë dominuese me ideologji rivale e nacionaliste; ky lloj i dominimit ndaj tjetrit çon drejt përçarjes, duke lënë hapësirë për të mos arritur deri te dialogu i nevojshëm në çuarjen përpara të proceseve politike. Sidomos, kjo lloj politike si pasojë e rivalitetit ka qenë gjithmonë shkas i konflikteve të ndryshme që kanë minuar apo degraduar ekzistencën e zhvillimit dhe avancimit të shteteve në përmbushjen e standardeve të rëndësishme jetike.
Konfilktualiteti nuk sjell ndryshimin e gjendjes, por thellimin e saj, prandaj do të ishte në interes të përbashkët në përqendrimin e politikave liberale, që sjellin liberalizimin e tregut, ekonominë dhe konsumin, mirëqenien sociale. Meqë forma e qeverisjes për një shtet të së drejtës duhet të shërbejë si kusht për demokracinë e mirëfilltë, atëherë propozoj politikat liberale moderne, të cilat burojnë nga njohja dhe guximi për të ndërtuar sistemin e funksionimit të shtetit juridik, duke krijuar rend shoqëror e juridik në shërbim të vazhdueshëm për qytetarët, hapësirë komunikimi dhe veprimi të shoqërisë civile, pjesëmarrja politike e kështu me radhë.
Individi dhe shoqëria mund të konsiderohen si pjesë e anashkaluar apo e ndarë nga dobitë e politikës, pasi politikën e kanë shndërruar në mjet interesi, nacionalizmi dhe rivaliteti brenda llojit. Politikat rivale dhe nacionaliste nuk janë shprehje e një politike globale që zhvillon e rrit konkurrencën, por të një politike që çon shtetin në izolim të përgjithshëm kundrejt të gjitha strukturave dhe organizatave ndërkombëtare.
Ndërkaq, këndvështrimi i konceptit liberal të qeverisjes së shtetit sipas Monteskies dhe Locke duket më i arsyeshëm për disa pushtete aktuale: "Qeverisje e vlefshme dhe e sigurt mund të konsiderohet ajo qeverisje e cila garanton lirinë esenciale të qytetarëve, madje pushteti ndjek frymën e një politike të moderuar duke mos shkelur në pragun e nevojave vetjake". Arsyeja në politikë duhet të shërbejë edhe si veçori substanciale e shtetit demokratik.