Video

10/04/2013 16:46:41

LSI, kush prek KQZ-në, ka prekur zgjedhjet e lira

'Ne besojmë se standardi i ngrirë në Kodin Zgjedhor me konsensus politike, miratuar me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit për një KQZ funksionale dhe jashtë partive, do të duhet të vazhdojë deri në përfundimin e zgjedhjeve'






TIRANË - Lëvizja Socialiste për Integrim, referuar kërkesës së partisë Republikane për tu përfaqësuar në KQZ me një anëtar, deklaroi sot qëndrimin e saj lidhur me këtë cështje.

Gjatë një konference për shtyp nënkryetari i kësaj partie Ylli Manjani, tha se “Partia Republikane nuk kërkon anëtar të KQZ-së sepse ka pranuar standardin që KQZ-ja nuk ka punë me partitë.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ndërtuar mbi bazën e një Kodi Zgjedhor konsensual dhe si i tillë partitë politike nuk kanë asnjë punë me axhendën e këtij institucioni, aq më pak me anëtarët e tij të cilët mbrohen me ligj”.

Ai shtoi se kjo është një “çështje tërësisht institucionale dhe juridike dhe nuk ka punë fare politikea në KQZ. Politikisht mund t’ju them që Komisioni Qendror të Zgjedhjeve është standardi numër një i garancisë së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Tendencën për të politizuar KQZ-në apo për ta ndryshuar përbërjen e këtij institucioni Manjani e cilësoi si një standard të cënuar të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. ”Është miratuar formula politike dhe në qoftë se do të ketë debat mund të ketë për këtë nivel dhe jo për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sepse ky është një standard ligjor, standard kushtetues, standard i gjithë pranuar dhe kush e prek atë do të ketë probleme me zgjedhjet e lira, të ndershme dhe demokratike në këtë vend”, theksoi ai.

“Ne besojmë se standardi i ngrirë në Kodin Zgjedhor me konsensus politike, miratuar me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit për një KQZ funksionale dhe jashtë partive, do të duhet të vazhdojë deri në përfundimin e zgjedhjeve. Anëtarësia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fillon dhe diskutohet sipas këtij kodi në tetor të vitit 2015. Deri atëherë kemi kohë”, përfundoi Manjani.

HermesNews - ©2013